Rreth SIPK

Sistemi Informativ i Pyjeve të Kosovës – SIPK

Duke pasur parasysh nevojën për menaxhim të informatave të sektorit pyjor të Kosovës, në kuadër të projektit GCP/KOS/005/FIN, “Mbështetje për zbatimin e strategjisë dhe politikave pyjore në Kosovë”, FAO ka marrë iniciativën për të ndihmuar institucionet kosovare, të cilat kanë mandat për menaxhimin e pyjeve, në mënyrë që të zhvillojnë një Sistem Informativ të Pyjeve të Kosovës (SIPK). Agjencia e Pyjeve të Kosovës ka mandat për menaxhimin e pyjeve dhe është përgjegjëse për rregullimin e pyjeve dhe tokave pyjore, administrimin dhe menaxhimin e tokave pyjore dhe pyjeve publike në Parqet Nacionale të Kosovës (me përjashtim të atyre që shprehimisht i janë deleguar ndonjë organi tjetër qeveritar me ligj).

Në këtë kontekst, FAO synon të ndërtojë një sistem informativ që do të shërbejë si një mjet i TI-së për të mbuluar nevojat e APK-së në realizimin e mandatit të saj për menaxhimin e pyjeve.

Zhvillimi i SIPK synon të ofrojë ndihmë në zbatimin e strategjisë dhe politikave pyjore në Kosovë përmes mundësimit dhe/ose lehtësimit të prodhimit, ruajtjes, përpunimit dhe shkëmbimit të informatave për pyjet. Përmes informatave më të sakta, gjithëpërfshirëse, të përditësuara dhe të kthyera në statistika, menaxhimi i pyjeve do të përmirësohet në të gjitha nivelet administrative.

SIPK do të zhvillohet si një mjet i TI për APK-në dhe si i tillë do të mirëmbahet dhe do të jetë përgjegjësi e APK-së, në pronësi të MBPZHR-së. Meqenëse është paraparë si një mjet i APK-së për zbatimin e mandatit të Qeverisë, ky projektim i sistemit ka për qëllim të pasqyrojë organogramin në kuadër të së cilit funksionin APK-ja. Respektivisht, ai do të jetë një sistem që ka një bazë qendrore të të dhënave në APK. Të gjitha zyrat komunale të Kosovës, gjashtë zyrat rajonale koordinuese dhe APK do ta përdorin këtë sistem. Institucionet e tjera përkatëse dhe qytetarët e Kosovës do të kenë qasje të kufizuar në mbarë Kosovën. Meqenëse ky sistem është menduar që të bazohet në ueb-teknologji, qasja në sistem është e mundshme nga çdo lokacion në botë përmes internetit, me masat e duhura të sigurisë dhe nivelin e qasjes së përdoruesit.