STUDIMI PËR BIOMASËN DRUNORE NË KOSOVË

16 tetor 2014, Prishtinë. Projekti i FAO-s “Mbështetje në implementimin e strategjisë dhe politikave pyjore në Kosovë“ (GCP/KOS/005/FIN) prezantoi rezultatet e studimit për biomasën drunore në Kosovë. Ky studim është bërë gjatë periudhës shtator 2013 – shtator 2014 dhe është përgatitur nga stafi i GCP/KOS/005/FIN, ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për biomasë drunore, dhe nga specialistët nga Qendra për Energji dhe Burime Natyrore e Universitetit Amerikan në Kosovë. Objektiv i këtij studimi ishte identifikimi i situatës aktuale të kërkesës për dru si lëndë djegëse nga amvisëritë, institucionet publike dhe konsumatorët e tjerë në Kosovë, dhe identifikimi i potencialit të furnizimit bazuar në metodologjinë e zhvilluar nga FAO për paraqitjen në hartë të kërkesës dhe ofertës së integruar për lëndë djegëse prej druri (metodologjia WISDOM).

Kjo ngjarje e organizuar më 16 tetor u kryesua nga Z. Aleksandar Nikolovski, Këshilltar Kryesor Teknik i projektit të FAO-s. Pjesë e panelit për diskutim lidhur me rezultatet e studimit ishin Z. Kapllan Halimi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në Kosovë, Z Vesa Kaarakka, Këshilltar i Lartë për Pylltari në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, Z. Norbert Winkler-Ráthonyi, Zyrtar për Pylltari në Zyrën Rajonale të FAO-s, Z. Naser Krasniqi, Udhëheqës Vendor i Ekipit në projektin e FAO-s dhe Dr. Nike Krajnc, eksperte ndërkombëtare e projektit të FAO-s për biomasë drunore.

Palët e interesit prej institucioneve qeveritare, përfaqësues të donatorëve në Kosovë, Zyra e BE-së, USAID, SDC, Banka Botërore dhe palë të tjera të interesit iu përgjigjën ftesës së projektit dhe morën pjesë në këtë ngjarje për të diskutuar situatën aktuale në shpenzimin, kërkesën dhe ofertën e lëndës drunore në Kosovë.

Duke hapur këtë ngjarje, Z. Aleksandar Nikolovski, Këshilltar Kryesor Teknik i projektit të FAO-s, theksoi rëndësinë e këtij studimi për zhvillimin e sektorit të pylltarisë në Kosovë, në veçanti kontributin e këtij studimi në identifikimin e shifrave të sakta për ofertën dhe kërkesën për biomasë drunore.

Z. Kapllan Halimi, Sekretar i Përgjithshëm i MBPZHR në Kosovë, theksoi se “ky studim do të konsiderohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural gjatë hartimit të politikave për sektorin e pylltarisë, të cilat më pas  do të ofrojnë mundësi për rritjen e kontributit të sektorit pyjor në ekonominë e gjithmbarshme kombëtare”.

Z. Vesa Kaarakka, Këshilltar i Lartë për Pylltari në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, ka theksuar rolin e lëndëve djegëse prej druri, si një prej burimeve kryesore të energjisë për amvisëritë rurale. “Ky studim që u prezantua sot është bazuar në një metodologji shkencore i bazuar në një mostër përfaqësimi që siguron identifikimin e saktë dhe të vlefshëm të të gjeturave në kuptimin e shfrytëzimit të drurit në Kosovë” tha ai.

Në emër të FAO-s, Z. Norbert Winkler-Ráthonyi, Zyrtar për Pylltari në Zyrën Rajonale të FAO-s, mirëpriti pjesëmarrësit dhe falënderoi Qeverinë e Finlandës për mbështetjen e ofruar në zhvillimin e këtij studimi, si pjesë e projektit GCP/KOS/005/FIN. Ai theksoi se roli i lëndëve djegëse prej druri shpesh nënvlerësohet nga autoritetet dhe nga publiku i gjerë.

Përmbledhja e rezultateve të këtij studimi është prezantuar nga ekspertja ndërkombëtare për biomase drunore e projektit të FAO-s “GCP/KOS/005/FIN”, Dr Nike Krajnc. Të gjeturat tregojnë se konsumatorët kryesorë të lëndës së drurit për djegie në Kosovë janë amvisëritë, duke vazhduar me të ashtuquajturat objekte turistike dhe shkollat. Gjithsej, Kosova në vit shfrytëzon 2.3 milionë m³ lëndë druri për djegie. 88% e amvisërive përdorin lëndën e drurit për djegie. 51% e amvisërive përdorin këtë lënd gjatë tërë vitit, derisa 49% e përdorin atë vetëm gjatë sezonit të ngrohjes.

Në vit amvisëritë rurale në Kosovë shpenzojnë më shumë se 1.4 m³, amvisëritë urbane 0.6 milionë m³, objektet turistike rreth 200, 000 m³, objektet shkollore më shumë se 33,000 m3, industria e drurit më shumë se 50,000m³ të drurit si lëndë djegëse.

Më shumë se 90% e furnizimit të drurit si lëndë djegëse në Kosovë vjen nga tokat pyjore, derisa pjesa tjetër nga aktivitetet agropyjore. Në aspektin e bilancit në mes të kërkesës dhe ofertës, mospërputhja është prezente kryesisht rreth qyteteve të mëdha.

Pas sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve, pjesëmarrësit e ngjarjes konkluduan se druri si lëndë djegëse është një burim shumë i rëndësishëm i energjisë në Kosovë dhe shfrytëzimi efikas i kësaj lënde nga përdorues të ndryshëm duhet të analizohet edhe më tej. Në këtë kuptim, metodologjia WISDOM do të ofrojë një vështrim më gjithëpërfshirë për kërkesën dhe ofertën për biomasë drunore.

Projekti “Mbështetje në implementimin e strategjisë dhe politikave pyjore në Kosovë”, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe i implementuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi, ka për qëllim rritjen e kontributit të sektorit pyjor në ekonominë kombëtare përmes përdorimit të qëndrueshëm të burimeve pyjore, duke marrë parasysh pylltarinë shumë qëllimore, përfshirë këtu përfitimin ekonomik, social dhe mjedisor si dhe kontributin e saj në zbutjen e ndryshimit klimatik.